| Historia |
MEDPAK: Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar
MEDPAK është një shoqatë jofitimprurëse e krijuar në vitin 1993, nga prindër me femijë me aftësi të kufizuar në qytetin e Librazhdit, për mbrojtje të të drejtave të fëmijëve të tyre, e shtrire me veprimtarine e saj ne gjithe Shqiperine. Në vitin 1994 ne hapëm një qëndër ditore për fëmijët me aftësi të kufizuar në qytetin e Librazhdit. Në vitin 1996 fillimisht u trajnuan disa mësues për arsimin special të integruar. Në Shtator të vitit 1996 u hap një klasë e edukimit special të integruar për fëmijët me aftësi të kufizuar në shkollën tetëvjeçare "Genc Leka" Librazhd. Në Tetor 1998, 20 mësues nga rrethi Librazhdit u trajnuan për arsimin special nga shoqata "Children's Aid Direct". Në Shtator te vitit 1999 në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Librazhd dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ne hapëm edhe një klasë të edukimit special për fëmijët me Aftësi të kufizuar në qytetin e Prrenjasit. Në vitin 2000 bëmë studimin dhe vlerësuam nevojat për gjithë njerëzit me Aftësi të Kufizuar në rrethin e Librazhdit. Pas këtij studimi në Shtator 2000-2003 me fonde të UNICEF ne filluam arsimimin e fëmijeve me Aftësi të Kufizuar duke i integruar ata në shkollat pranë vendbanimit të tyre në gjithë rajonin e Elbasanit, rreth 315 fëmijë të moshës 6-10 vjeç. Në Dhjetor të 2002 në qytetin e Librazhdit, në partneritet me Bashkinë Librazhd dhe shoqatën "Save the Children" Shqipëri, për edukimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar të rënduar hapëm një qëndër ditore, e cila frekuentohet nga fëmijë me Aftësi të Kufizuar të rënduar të qytetit të Librazhdit dhe 2-3 femijë nga qytetit i Elbasanit. Me hapjen edhe të kësaj qëndre ne si shoqatë kemi zbatuar të drejtën për arsim për fëmijët me Aftësi të Kufizuar dhe integrimin e tyre në komunitet. Në vitin 2003 shoqata hapi një Qëndër Burimore për Aftësinë e Kufizuar në qytetin Librazhd, e cila krijon lehtësi për prindërit në rajonin e Elbasanit. MEDPAK eshte shoqate aktive ne pjesmarrjen per hartimin e Strategjise Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, bën pjesë në grupin e advokacisë për të Drejtat e këtyre personave si dhe në vazhdimësi ka dhënë e jep një oponence reale për lobimin dhe miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore për personat me Aftësi të Kufizuara.
Në vitin 2004 u krye studimi "Vlerësim i nevojave të fëmijëve me Aftësi të kufizuar për arsimin special te integruar në Bashkinë e Tiranës", në të cilin ajo dha kontribut me mendime konkrete. Me anën e projektit "Vlerësim i nevojave të fëmijëve me aftesi te kufizuar për arsimin special te integruar ne bashkine e Tiranës", në shërbimin social, për zbatimin e Dispozitave Normative duke realizuar integrimin e fëmijëve me Aftësi të Kufizuar në shkollat publike të arsimit të detyruar si dhe kthimin e shkollës "Luigj Gurakuqi" në një qëndër për aftësimin e adoleshentëve me Aftësi të Kufizuar në profesione të ndryshme, në përshtatje me aftësitë dhe prirjet që kanë. Në Dhjetor te 2004 ekspertë të shoqatës sonë realizuan studimin me temë: "Raport studimor mbi efektivitin e zbatimit të kuadrit ligjor që garanton edukimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar në kushtet e arsimit gjithëpërfshirës përvojë rajonale, arritje, sugjerime dhe sfida për të ardhmen". Në Dhjetor të 2004, për përvojën e krijuar, sidomos për arsimin gjithëpërfshirës, shoqata MEDPAK u vlerësua me Çmim të parë nga "Handicap International" në Beograd, për Shërbime më të mira me bazë komunitare. MEDPAK, me pervojën e krijuar, trajnimin e mësueseve për arsimin gjithëpërfshirës, realizimin në praktikë të ligjit shqiptar për periudhën nga viti 1996, e konsiderojn edhe një arritje të sajën, realizimin e të drejtës për arsimim të personave me aftësi të kufizuara, të integruar së bashku me bashkëmoshatarët e tyre në komunitetin ku ata jetojnë. Tashmë punojmë për rreth 850 persona me aftësi te kufizuar dhe familjet e tyre. Duke qenë një shoqatë prindërish që kanë fëmijë me Aftësi të Kufizuara dhe antarë të tjerë vullnetarë, tek ne, çdo vit anëtarësohen mbi 150 anëtarë. |



Rruga:"Shyqyri Ishmi",
Nd.12, H.6, Ap 3
Kodi postar 1010
Tirana, Albania
Mobile: + 355 69 22 08 985
E-mail: info@medpak.org
![]()
![]()